31 - Drejtorite | AMMK

Themelimi

 

Instituti për planifikim hapësinor është pjesë përbërëse e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe së bashku me Departamentin e Planifikimit Hapësinor përbëjnë sektorin e planifikimit hapësinor në Qeverinë e Kosovës. Është themeluar në Tetor të vitit 2003 me akt të veçantë të nënshkruar nga ish Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në kuadër të Institutit punojnë profesionistë të fushave të ndryshme si: arkitektë, gjeografë, sociologë, biologë, e të tjerë, mosha mesatare e të cilëve nuk është më e vjetër se 40 vjet. Që nga themelimi e deri në ditët e sotme, ajo që e karakterizon Institutin është puna grupore profesionale, e cila në të shumtën e rasteve rezulton me përfundimin e punëve në kohë dhe me sukses të plotë.

 

Veprimtaria

 

Veprimtaria kryesore e këtij institucioni është hartimi i Planit Hapësinor të Kosovës dhe përgatitja dhe hartimi i planeve të zonave me përmbajtje të veçantë dhe me interes për shtetin. Veprimtari tjetër e rëndësishme është ngritja e kapaciteteve humane dhe ndihma teknike profesionale e punëtorëve të nivelit komunal, në përgatitjen dhe hartimin e planeve komunale.

Prej vitit 2003 e deri më sot, janë prodhuar disa dokumente të rëndësishme dhe të nevojshme për sektorin e planifikimit hapësinor në veçanti dhe në përgjithësi dokumente të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës. Të gjitha materialet dhe dokumentet e prodhuara janë të përmbledhura në formën e dokumenteve zyrtare dhe janë pjesë përbërëse e faqes sonë të internetit. Fjala është për dokumentet: Plani Hapësinor i Kosovës 2010-2020+ dhe Planet Hapësinore për zonat e veçanta.

Gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me sektorët e rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, janë hartuar një set i tërë i raporteve sektoriale, të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimit hapësinor sektorial. Një grup i veçantë i punëtorëve të Institutit, kanë punuar në hartimin e analizave hapësinore për komunat e Suharekës, Vushtrrisë, Dragashit, Kaçanikut, Malishevës, Kamenicës dhe Obiliqit, dokumente këto që për nga përmbajtja janë ndihmë e madhe e komunave për përfundimin e Planeve Zhvillimor Komunale. Një punë e rëndësishme e Institutit, ka qenë hulumtimi që është bërë në fushën e vendbanimeve joformale. Për këtë qëllim, dhe në bazë të rezultateve të hulumtimit të zhvilluar në disa komuna, është nxjerrë udhëzuesi për trajtimin e këtyre vendbanimeve. Një pjesë e stafit ka qenë i kyçur në procesin e hartimit të Planit Zhvillimor për Komunën e Junikut, që si aktivitet është konsideruar si risi në kuadër të bashkëpunimit me organet kompetente komunale, të cilin do të tentojmë ta shtrijmë dhe ta aplikojmë edhe për komunat tjera të interesuara.

Plani Hapësinor i Kosovës si dokument i është nënshtruar një procesi të zgjatur kohor, i cili i ka mbuluar të gjitha fazat e parapara ligjore duke përfunduar me fazën e shqyrtimit publik, në të cilin dokumenti në fjalë është prezantuar për dy muaj me radhë para publikut të gjerë kosovar. Kjo ishte kohë e mjaftueshme gjatë së cilës dokumenti është pasuruar me ndryshime dhe komente, të cilat kanë ndikuar në ngritjen e nevojshme të kualitetit. Më tutje ky dokument në bazë të procedurës së paraparë, u dorëzua në Qeveri për miratim dhe në Janar të vitit 2007 është aprovuar në parim nga Kuvendit i Kosovës. Nga ajo kohë dhe deri në Shkurt të vitit 2009, nuk është ndërmarrë asnjë hap më tutje. Për shkak të prioriteteve politike të kohës, dokumenti në fjalë ka ngelur i paaprovuar. Pas kërkesës tonë drejtuar Kuvendit të Kosovës, për vazhdimin e procedurës, Plani Hapësinor i Kosovës 2005-2015+, është kthyer pas për plotësim dhe harmonizim me zhvillimet aktuale hapësinore dhe rregullativen e ndryshuar ligjore. Dhe përfundimisht pas ndërhyrjeve të nevojshme, Kuvendi i Kosovës në seancën e rregullt të datës 16.06.2011 me shumicë të votave, ka aprovuar dokumentin më të rëndësishëm të zhvillimit hapësinor të vendit – Plani Hapësinor i Kosovës 2010-2020+.

 

Aktualisht, para aprovimit përfundimtar është edhe një dokument tjetër me rëndësi – Plani Hapësinor për Zonën e Veçantë Ekonomike “Fusha e Mihjes së Re” i cili njëzërit (në Qershor të vitit 2011) është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe momentalisht është në procedurë të aprovimit në Kuvendin e Kosovës.

Në bashkëpunim me sektorët e rëndësishëm të Qeverisë, përmes Grupit Punues Ndërministror kemi përfunduar draftin e parë të Planit Hapësinor për Parkun Nacional “Mali Sharr”, i cili do ti nënshtrohet fazës së shqyrtimit dhe konsolidimit deri në aprovimin final të dokumentit. Dokumenti ka të bëjë me mbrojtjen dhe zhvillimin e zonës më të bukur natyrore të Kosovës i cili përfundimisht do të ndikojë në rritjen e kontrollit të zhvillimeve dhe ndërprerjen e keqtrajtimit të vlerave të dëshmuara natyrore.

Në kuadër të aktiviteteve të rëndësishme të fundit të vitit 2010, ka qenë puna në hartimin e Planit Hapësinor për Zonën e Veçantë “Kleçkë dhe Divjakë”. Dokumenti ka për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të luftës së fundit në Kosovë, disa nga të cilat, ndoshta më të rëndësishmet kanë ndodhur në territorin e kësaj zone. Qëllim tjetër i rëndësishëm është që, përmes zhvillimeve të propozuara në dokument, të ndikojmë në rritjen e mirëqenies ekonomike duke mundësuar zhvillimin e bujqësisë, ekonomive të vogla familjare dhe turizmit si njëra nga degët më profitabile ekonomike. Dokumenti përkatës është në fazën e shqyrtimit publik me përfundimin e të cilit (shtator 2011) do të futet në procedurë të aprovimit përfundimtar.Paralelisht me këto aktivitete kemi filluar procesin e hartimit të Planit Hapësinor për

Zonën e Veçantë “Hidrocentrali Zhur”. Momentalisht është duke u finalizuar drafti i parë i këti dokumenti të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit energjetik dhe në përgjithësi të zhvillimit ekonomik të zonës përkatëse.

Një aktivitet tjetër që ka filluar këtë vit, është hartimi i Planit Hapësinor për Zonën e Veçantë “Ujëvarat  e Mirushes”. Momentalisht janë duke u mbledhur informata dhe të dhëna që do të na ndihmojnë në përfundimin e analizës së gjendjes ekzistuese të zonës në fjalë. Një analizë e tillë do të jetë parakusht për përcaktimin adekuat të zhvillimeve të ardhshme, të cilat pa dyshim se do të ndikojnë në ndërprerjen e degradimeve aktuale që janë duke ndodhur.

 

Bashkëpunimi

 

Karakteristikë e punës së deritashme të Institutit ka qenë bashkëpunimi dhe ndihma reciproke me të gjithë pjesëmarrësit në proces. Bashkëpunimi është i të gjitha niveleve, duke filluar nga organet më të larta qeveritare, ato komunale e deri te organizatat e huaja dhe vendore, individët e pavarur e në disa raste ky bashkëpunim është plotësuar edhe me diskutime publike të organizuara në shumë qendra të Kosovës.

Ndihmë e konsiderueshme në këto aktivitetet është dhënë nga ana e UN-Habitat-it përmes IHS-it - Institutit për Banim dhe Studime të Zhvillimit Urban - Holandë, e cila ndihmë më së shumti konsistoi në ngritjen kapaciteteve profesionale. Një bashkëpunim i veçantë ka qenë me ALUP (Agriculture land Utilitasion Project) i cili ka ndikuar në ngritjen reciproke të kapaciteteve rreth menaxhimit dhe planifikimit rural. Një bashkëpunim të ngjashëm e kemi arritur edhe me UNDP, SIDA, AGRIFOR (Institucione ndërkombëtarë), me theks të veçantë në gjetjen e mundësive për ngritjen dhe zhvillimin institucional në fushën e planifikimit hapësinor.

Gjatë kësaj periudhe ndër bashkëpunimet e rëndësishme ka qenë edhe puna deri më tash joformale, me studentë të fushave të ndryshme. Kemi arritur që për një numër të konsiderueshëm të studentëve të ofrojmë hapësirë dhe informata të mjaftueshme për kryerjen e pjesës praktike të studimeve universitare.

Momentalisht njëri ndër aktivitetet e rëndësishme është bashkëpunimi me disa projekte të financuara nga Komisioni Evropian dhe donatorë tjerë, me qëllimin kryesor ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve humane dhe teknike në IPH nga të cilët më të rëndësishme janë:

Vazhdimi i përkrahjes për shfrytëzimin e tokave (EULUP) – në kuadër të projektit MMPH përkatësisht IPH është njëri ndër përfituesit kryesor. Projekti ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve humane dhe teknike të nevojshme që do të kenë ndikim në hartimin politikave nacionale dhe implementimin e tyre, të ndërlidhura kryesisht me planifikimin hapësinor të zonave rurale, mbrojtjen e tokave bujqësore dhe mbrojtjen e mjedisit. Në kuadër të projektit është paraparë organizimi i trajnimeve bazike dhe të avancuara në GIS, në të cilat përpos IPH-së do të përfitojnë edhe MBPZHR dhe stafi i pilot komunave.

Promovimi i diversitetit kulturor në Kosovë (PCDK) – në kuadër të projektit MMPH përkatësisht IPH është njëri ndër përfituesit kryesor. Qëllimi kryesor i projektit është promovimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Njëri nga synimet e përbashkëta do të jetë prezantimi i trashëgimisë kulturore në një hartë të përgjithshme për të gjithë territorin e Kosovës. Kjo do të realizohet përmes vizitave të ndryshme studimore dhe organizimit e trajnimeve të nevojshme, në të cilat do të marrin pjesë përfaqësues nga sektorë të ndryshëm, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e një grupi prej IPH-së.

Programi "Integrimi i trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor dhe urban të nivelit qendror dhe lokal në Kosovë" – Përmes këtij programi të ndërmarrë në partneritet me CHwB-në, do të trajtohet çështja e trashëgimisë kulturore, dhe përfshirja e saj në planet hapësinore të niveleve të ndryshme. Në mënyrë më specifike analiza dhe hulumtime do të realizohen në dokumentet përkatëse hapësinore të disa komunave tipike të Kosovës. Qëllimi kryesor i programit do të jetë që, përmes bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante, të definojmë hapat e nevojshëm për trajtimin dhe integrimin e drejtë të trashëgimisë kulturore në planifikimin hapësinor në Kosovë.